KEK sh.a. sqaron se në raportin e UNDP-së “Matja e Pulsit Publik”, perceptimi rreth korrupsionit nuk po matet si duhet. KEK në vazhdimësi ka kërkuar nga UNDP që  metodologjia zbatuar të jetë adekuate  në mënyrë që të vije deri tek raportet e sakta, por kjo kërkesë ka hasur në vesh të shurdhër. KEK-u është kompani me shërbime të shtrira në tërë territorin e vendit dhe me korporatën kanë të bëjnë të gjithë qytetarët, prandaj kanë edhe percepcion të gjithë. Në këtë situatë nuk mund të bëhet matja e njëjtë p.sh. si me doganën apo sistemin e drejtësisë me të cilët ka punë një numër i vogël i popullatës. Në bazë të raporteve të hulumtimit të opinionit që janë porositur nga KEK-u dhe janë bërë nga Operatorë të pavarur, korporata mesatarisht është ranguar e treta sa i përket percepcionit për korrupsion. Madje, këto percepcione duke përfshirë edhe atë të UNDP-së  në mbi 92 për qind është krijuar nga rrethana tjera që nuk kanë të bëjnë fare me eksperiencat personale me korrupsion, t siç është furnizimi me energji elektrike apo sepse kështu mendojnë të gjithë, përshtypje e krijuar kryesisht nga raportimet mediale. Sidoqoftë, KEK kërkon nga mediet që konstatimet e UNDP-së t’i konsiderojnë vetëm si percepcion të popullatës e jo si korrupsion faktik, pasi që percepcioni dhe gjendja faktike janë komplet të ndryshme.   KEK është ndër kompanitë e vetme që nuk ka ndenjur duarkryq sa i përket luftës ndaj kësaj dukurie të shëmtuar. Korporata ka krijuar një Divizion të fuqishëm të Auditit të Brendshëm, i cili ka të krijuara disa ekipe që janë në terren 24/7. Ky divizion për pak më tepër se dy vjet, përkatësisht nga 01.01.2010 deri me 31.03.2012 ka kontrolluar 456 punëtorë të KEK-ut nën dyshimet për ndonjë keqpërdorim apo keqshfrytëzim. Prej tyre ka lëshuar 92 rekomandime për masa disiplinore, nga te cilat 33 për shkëputje të kontratës dhe 59 - vërejtje me shkrim. Gjithashtu në të njëjtën periudhë ky divizion ka kontrolluar 13, 743 konsumatorë, prej të cilëve ka gjetur parregullsi tek 3020 sish. KEK mbetet i hapur në luftën ndaj korrupsionit dhe kërkon nga të gjithë konsumatorët, mediet, palët e interesit dhe të gjithë qytetarët që nëse kanë ndonjë informatë rreth ndonjë keqpërdorimi nga ana e punëtorëve të KEK-ut ta lajmërojnë atë në numrat e telefonit 038 55 66 22 apo të dërgojnë email në adresat auditimibrendshem@kek-energy.com  dhekekantikorrupcion@kek-energy.com.