Duke marrë parasysh konfuzionin eventual që mund të shkaktohet si pasojë e prononcimeve të pabazuara nga disa grupe të interesit, lidhur me çështjen e pensionimit të parakohshëm dhe të testimit të planifikuar të punëtorëve, KEK sh.a. sqaron si në vijim.
Duke u bazuar në praktikat më të avancuara ndërkombëtare si dhe kërkesave specifike të Ligjit të Punës, objektiv i testimit është parimisht identifikimi dhe pasqyrimi i gjendjes në të cilën gjenden resurset humane të KEK-ut, ngritja profesionale, rritja e sigurisë dhe mbrojtja në punë e stafit.
Testi në fjalë është dizajnuar me qëllim identifikimi të nivelit të njohurive profesionale dhe të njohurive lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë në punë të punëtorëve, si aset kyç i një kompanie.
Për më tepër, ky testim synon identifikimin e nevojave për trajnim adekuat të stafit për nivelet e caktuara, identifikimin e nevojave për rekrutimin e stafit të ri dhe profesional, si dhe identifikimin e stafit për promovime të mundshme në të ardhmen.
Si rrjedhojë, praktika e testimit dhe e trajnimit të stafit planifikohet që në të ardhmen të bëhet në mënyrë të rregullt periodike. Kësisoj, ne do të përmbushim edhe një standard tjetër, të cilin kompanitë ndërkombëtare në fushën e energjisë e kanë ngritur deri në atë nivel duke e aplikuar dy herë brenda një viti.
Andaj, procesi i testimit ne asnjë mënyrë nuk është i dizajnuar me qëllim të largimit të punëtorëve të profilit apo të moshës së caktuar por përkundrazi është në interes të kompanisë dhe vetë punëtorëve. Ky test nuk është selektiv, por përkundrazi, përfshin të gjithë punonjësit e korporatës.
Në anën tjetër, skema që po e aplikon korporata për pensionim të parakohshëm është tërësisht vullnetare dhe punëtorët mund të zgjedhin të rrinë apo të shkojnë në pension të parakohshëm sipas vullnetit të tyre. Pra, askush në KEK nuk i detyron të ndërmarrin veprime jashtë vullnetit të tyre. Përkundrazi, kjo skemë është kërkuar nga vetë punëtorët dhe sindikatat, në mënyrë që të kenë një komoditet dhe siguri financiare për vitet në vijim deri sa ta mbushin moshën e pensionimit.
Duhet përkujtuar se KEK sh.a. ka pasur vazhdimisht skema të tilla edhe më herët nga të cilat kanë përfituar me qindra punëtorë.