Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka organizuar sot një ceremoni të veçantë për të nderuar 189 punonjës të cilët janë pensionuar gjatë vitit 2024. Në shenjë falënderimi për kontributin e tyre shumëvjeçar në zhvillimin dhe suksesin e KEK, pensionistëve iu ndanë mirënjohje dhe një dhuratë simbolike – një orë dore me logon e KEK.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK, z. Gramos Hashani, mbajti një fjalim të veçantë ku vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e secilit punonjës tashmë të pensionuar. Ai theksoi se përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe suksesin e korporatës ndër vite.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, një ditë mirënjohjeje dhe respekti për punën tuaj të palodhur dhe angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm. Ju jeni themeli mbi të cilin KEK është ndërtuar dhe ka arritur sukseset e sotme. Përkushtimi juaj ka qenë dhe do të mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë sonë.” – u shpreh z. Hashani.
Gjithashtu, ai shtoi se ceremonia nuk ishte thjesht një moment formal, por një shprehje e vërtetë e respektit dhe falënderimit të institucionit për punën dhe sakrificën e bërë nga këta punonjës ndër vite.
KEK shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë punonjësit e saj, duke theksuar se kontributi i tyre i çmuar do të mbetet i paharruar në historinë e korporatës dhe të sektorit energjetik në Kosovë.