Ka përfunduar me sukses konferenca me temë: “Tranzicioni i Energjisë: Implementimi i Politikave dhe Strategjisë së Energjisë, Digjitalizimi”, e organizuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) me mbështetje të Komitetit Kombëtar të CIGRE për Kosovën.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), si prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend, ishte pjesëmarrëse aktive dhe një nga kontribuuesit kryesorë në këtë ngjarje, duke prezantuar të arriturat, projektet strategjike dhe planet për të ardhmen në kuadër të tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.
Në fjalimin e tij, z. Valdrin Krasniqi, Kryesues i Bordit të KEK, prezantoi rolin kyç që KEK ka në sistemin energjetik të vendit, sfidat aktuale dhe përkushtimin për modernizim dhe kalim drejt energjisë së pastër.
“KEK është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në Republikën e Kosovës, duke mbuluar rreth 90% të konsumit të brendshëm përmes termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Këto kapacitete, që janë në funksion për dekada, kanë ruajtur stabilitetin energjetik edhe në kohë sfiduese. Me qëllim përputhjeje me standardet moderne dhe objektivat klimatike, KEK ka filluar projekte madhore për rehabilitim të njësive ekzistuese dhe përfshirje në energji të ripërtëritshme – përfshirë ndërtimin e një parku solar 100 MW në ish-deponinë e hirit të TC Kosova A,” – theksoi z. Krasniqi.
Në prezantimin e tij, z. Erdoan Zasella, Drejtor Ekzekutiv i Divizionit për Burime të Ripërtëritshme të KEK, prezantoi në detaje projektin strategjik “Solar4Kosovo I – Photovoltaic Plant” – një hap kyç drejt diversifikimit të burimeve të energjisë.
“Ky projekt do t’i mundësojë KEK-ut të zgjerojë portofolin e saj në energjinë diellore, duke përfituar gjithashtu përvojë, praktike në dizajnim, zbatim dhe operim të sistemeve fotovoltaike. Përveç përfitimeve mjedisore, ky tranzicion ka edhe një komponent të fortë sociale – duke përfshirë punonjësit aktualë dhe duke krijuar mundësi të reja për punësim në një sektor të qëndrueshëm dhe inovativ. Po ashtu, KEK në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka zhvilluar studimin LURA për rishfrytëzimin e mbi 2600 hektarëve të tokës së vet, ku aktualisht rreth 735 hektarë rezultojnë të përshtatshme për prodhim energjie dhe industri të lehtë,” – u shpreh z. Zasella.
Në këtë konferencë u dha një hapësirë e veçantë për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në sektorin energjetik.
Znj. Mirvete Gerguri, zyrtare e lartë në KEK dhe Kryesuese e Kuvendit të Shoqatës AWESK, theksoi rolin e grave si pjesë integrale e zhvillimit të sektorit energjetik:
“Angazhimi i grave në sektorin energjetik është gjithnjë në rritje dhe i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Gratë në këtë sektor po kontribuojnë me profesionalizëm, inovacion dhe qasje të reja për të përballuar sfidat që i sjell tranzicioni energjetik. Krijimi i mundësive për integrimin e më shumë grave është një nevojë strategjike për të ardhmen e energjisë në Kosovë,” – theksoi znj. Gerguri
Pjesëmarrja e KEK në këtë konferencë dëshmoi përkushtimin e saj ndaj tranzicionit energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit teknologjik, në përputhje me strategjitë kombëtare dhe ndërkombëtare për energji dhe klimë. Përmes investimeve në modernizim, energji të ripërtëritshme dhe përfshirje sociale, KEK vazhdon të jetë shtyllë e sigurisë energjetike dhe zhvillimit të gjelbër në vend.

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS