Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) vazhdon traditën e bashkëpunimit me universitetet publike dhe private për ofrimin e praktikës profesionale për studentët. Një marrëveshje e tillë është nënshkruar sot edhe me Kolegjin UBT në Prishtinë.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), tashmë ka dëshmuar se është e vendosur për investime në gjeneratat e reja. Si rrjedhojë, Drejtori Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj, së bashku me Rektorin e UBT-së, prof. Dr. Edmond Hajrizi kanë nënshkruar marrëveshje me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit në mes të KEK-ut dhe UBT-së, me pikësynim që përmes përvojës praktike të edukimit të përkrahet ngritja e nivelit edukativ dhe profesional e të rinjve kosovarë, përkrahja në krijimin e një ambienti më të volitshëm ekonomik, si dhe përkrahja dhe përgatitja e studentëve për tregun e punës.

KEK dhe UBT së bashku do të kontribuojnë në drejtim të zhvillimit, përkrahjes dhe promovimit të sektorit edukativ dhe profesional, ofrimit të shërbimeve të përbashkëta, gjenerimin e punësimit dhe zvogëlimin e papunësisë. Në këtë drejtim, të dy palët janë pajtuar që për nevojat e tyre të shkëmbejnë ekspertët dhe përvojat e tyre në fushat e caktuara ekonomike si dhe kur është e mundshme studentët e lëmive të inxhinierisë elektrike pranë këtij universiteti të kryejnë praktikën profesionale në KEK.

Përndryshe, në fillim të çdo viti akademik UBT do t’i dorëzojë listën me emrat e studentëve të paraparë për aftësimin praktik në KEK. Ndërsa, KEK-u çdo vit akademik do të përcaktoj numrin e studentëve që do të përfshihen në punë praktike e cila do të zgjasë prej dy javë deri në një muaj. Kohëzgjatjen e praktikës, partnerët e caktojnë me marrëveshje.

Korporata Energjetike e Kosovës shpreh gatishmërinë për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha universitetet publike dhe private në ofrimin praktikës profesionale për gjeneratat e reja.