Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, deklaroi se edhe pse termocentralet e Kosovës janë të stërvjetruara, KEK-u i ka bërë të gjitha përgatitjet për të pasur një furnizim të mirë me energji elektrike për konsumatorët e Kosovës.

“KEK-u i ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror. Jemi në fazën e fundit të testimi që të kemi gjenerim të energjisë për dimër por sfide mbetet qymyri për shkak të pengesave në shpronësim”, tha ai sot (e hënë) në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).Sipas tij KEK-u ka pasur rekord për prodhimin të energjisë elektrike edhe përkundër vjetërsisë dhe problemeve tjera teknike operative që po ndeshet ne vazhdimësi KEK-u.

Megjithatë, Gjukaj bëri me dije se sfida tejet shqetësuese për KEK-un mbetet edhe më tej furnizimi i dy termocentraleve me qymyr. “Ashtu siç janë të informuar gjithë qytetarët e vendit, tash e 14 muaj puna ne zbulimin e qymyrit (heqjen e djerrinës) ishte ndalur për shkak të bllokimit tre vjeçar të shpronësimit të tokave të cilat janë në zonën e shpallur me interes të veçantë ekonomik nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përkundër qasjes pro aktive, dashamirëse dhe ofertave shumë të volitshme që shfaqeshin nga KEK-u deri tek Qeveria e Republikës se Kosovës dhe në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare, një pjesë e banorëve të asaj zone vazhdojnë me bllokimin e procesit të zhvendosjes.

Koha e humbur deri tani për shkak të ndërprerjes së punës në hapjen e mihjes në drejtim të fshatit Shipitullë ka shkaktuar dëme të pa kompenzueshme. Si rrjedhim, kjo javë është vendimtare për të zhbllokuar situatën dhe lejimin e menjëhershëm për qasje në zonën e përcaktuar për zhvillimin e mihjes, në mënyrë që të mos rrezikohet puna termocentraleve për shkak të furnizimit të vështirë me qymyr gjate dimrit” theksoi Gjukaj.

Gjukaj po ashtu tha se prodhimi i energjisë elektrike është shumë kompleks. Zgjidhja për Kosovën që të mos ketë problem me furnizim me energji elektrike, sipas Gjukajt është ndërtimi i termocentralit të ri. “Jemi vonuar pak, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, është zgjidhja për Kosovën. Fati i “Kosovës A”, lidhet me ndërtimin e termocentralit të ri”, tha ai.

http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=216587