E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021 – 2025 dhe vendime tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 7 maj 2021.
‘Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat’, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Në konferencën për media pas miratimit të programit qeverisës, Kryeministri Kurti ka thënë se programi qeverisës i jep prioritet diversifikimit të burimeve të energjisë elektrike, efiçiencës energjetike dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike, me çmime të përballueshme të energjisë elektrike.