Pas ndërmarrjes së hapave të suksesshëm të riparimeve kapitale, që u bënë në vitin 2014, edhe pse të ballafaquar me sfidat e vjetërsisë së stabilimenteve, gjatë periudhës së kaluar, prodhimi i energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese të Kosovës A dhe Kosovës B ishte shumë i qëndrueshëm, duke tejkaluar planin e aprovuar. Falë kësaj performance të njësive të Termocentraleve ekzistuese, KEK ka arritur ta stabilizojë, përfundimisht, prodhimin duke tejkaluar gjatë vitit 2015 kërkesën për konsum për energji elektrike në nivel vendi.
Duke punuar me stabilimente, operimi të cilave është shume i paparashikueshëm, duke bartur barrën e stabilitetit të sektorit të energjisë në Kosovë, KEK-u, në vazhdimësi, është duke eliminuar të gjitha pengesat potenciale duke ndërmarrë të gjitha veprimet për prodhim të qëndrueshëm, që t’i mundësojë furnizuesit publik (KEDS/KESCO) , furnizim të qëndrueshëm.
Në këtë vije, sot në mëngjes, më 05 janar 2016, me qëllim të ndërmarrjes së disa intervenimeve të domosdoshme teknike, KEK ishte i detyruar ta ndalë njësinë B1 të Termocentralit “Kosova B”. Për këtë ndalje, konform praktikave standarde të veprimit që zbatohen në raste të tilla, në mënyrë që të mundësojë ndërmarrjen e hapave adekuat, KEK-u ka informuar KEDS/KESCO-në, që ka përgjegjësi dhe menaxhon me import dhe eksport të energjisë, para se të ndalet njësia në fjalë që mbrëmë më 04 janar 2015. Me këtë rast, pritet, që punët e parapara gjatë kësaj ndalese të kryhen me një dinamikë të shtuar dhe njësia B1 të kthehet në punë nesër.
Në këtë rast, KEK sh.a. falënderon për mirëkuptim, të gjitha palët e ndërlidhura që mund të jenë të afektuar.