Më 28 shkurt 2016, KEK-un e vizitoi një delegacion i lartë i Bankës Botërore, i udhëhequr nga Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, dhe znj. Ellen Goldstein, drejtore e Bankës për Evropë Juglindore. Me këtë rast, delegacioni i lartë nga selia qendrore e Bankës Botërore në Uashington, i cili u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj me bashkëpunëtorë, vizitoi mihjet sipërfaqësore, zonën e zhvendosjes në fshatin Shkabaj ( Hadeja e re) dhe termocentralin “Kosova A”. Z. Gjukaj e informoi delegacionin e Bankës Botërore për gjendjen aktuale, rezultatet e arritura, si dhe sfidat e proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u . “Përkundër sfidave, që paraqiten në vazhdimësi, për shkak të vjetërsisë së njësive prodhuese, duke bartur barrën e tërë sektorit të energjisë në vend, KEK është duke vazhduar me prodhim stabil dhe të qëndrueshëm të energjisë elektrike. Por, në plan afatgjatë ky stabilitet nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa ndërtimin e kapaciteteve te reja. Përveç kësaj, siç kemi dëshmuar edhe gjatë pesë viteve të fundit, një nga objektivat kryesore të korporatës ishte dhe mbetet mbrojtja e mjedisit ku operojmë ” theksoi z. Gjukaj. Për sa i përket periudhës vijuese, problem i veçante është duke paraqitur çështja e qasjes në zonën e zhvillimit të mihjes. Në pajtim me Kornizën e Politikave të Zhvendosjes dhe Ligjit për Ekspropriim, KEK-u ka përmbushur në kohë të gjitha obligimet dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat që kërkohen për zhvillimin e mihjes Sibovci Jugperëndimor sipas licencës që ka. Lidhur me këtë, pengesë paraqesin mbi njëqind ndërtime ilegale spekulative, të konstatuara përmes matjeve gjeodezike dhe satelitore në këtë zonë. Përkundër, vendimeve mbi ndalimin e ndërtimeve në këto sipërfaqe, që janë të shpallura zona të interesit të veçantë ekonomik dhe përkundër faktit se KEK-u kishte njoftuar dhe alarmuar, gjatë tërë kohës organet kompetente duke filluar nga Komuna, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Policia e Kosovës dhe Ministria Punëve te Brendshme. Prandaj, u takon këtyre institucioneve që pa vonesa të marrin vendime adekuate, në mënyrë qe operimet e KEK-ut dhe përfundimisht të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike të mos pësojnë më tej për shkak të kësaj neglizhence. Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, z. Muller u nda mjaft i kënaqur dhe i impresionuar me punën dhe angazhimin, të cilin po e bën menaxhmenti se bashku me punëtorët e KEK-ut. Duke rikonfirmuar mbështetjen e Bankës Botërore, ai theksoi "Përkrahja për adresimin e mungesës së energjisë në Kosovë, është një element i strategjisë më të gjerë të Bankës Botërore për të përkrahur zhvillimin ekonomik, si dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe menaxhimin mjedisor. Duke punuar në sektorin e energjisë, është shumë e rëndësishme për vet Kosovën që politikat e saj t'u përmbahen praktikave më të mira mjedisore dhe sociale".