Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. njofton opinionin se, për konkursin e shpallur për 220 pozita të Manipuluesve (të shiritave transportues, hinkës fushore dhe kabinës 2), janë pranuar gjithsej 956 aplikacione. Pas shqyrtimit të aplikacioneve, 517 kandidate janë ftuar të marrin pjesë në testin me shkrim, nga të cilët 471 kanë kaluar me sukses këtë fazë dhe janë ftuar për intervistë.
Procesi i testimit me shkrim është zhvilluar në mënyrë elektronike, ku çdo kandidat ka pasur mundësinë të shohë rezultatin e arritshmërisë (pikët) menjëherë pas përfundimit të testit. KEK e vlerëson se ky proces ka qenë i zhvilluar në mënyrë të plotë dhe transparente, duke siguruar një selektim të drejtë dhe të paanshëm të kandidatëve.
Sqarim mbi Verifikimin e Diplomave
Në lidhje me publikimin e një artikulli që ngre dyshime mbi përdorimin e diplomave false e që ka tendencë të dëmtojë besimin në procesin e rekrutimit, KEK dëshiron të sqarojë opinionin dhe të qartësojë disa aspekte të rëndësishme.
Në fazën e aplikimit, kandidatët (afër 1000 aplikime) kanë dorëzuar kopje të diplomave të tyre përmes e-mailit. Sidoqoftë, KEK siguron të gjithë publikun se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit, të gjithë kandidatët do të jenë të detyruar të dorëzojnë diplomat origjinale ose të noterizuara, në përputhje me kërkesat e shpalljes publike.
Në rast të dyshimeve për autentikshmërinë e dokumenteve të dorëzuara, ato do të verifikohen në institucionet përkatëse të arsimit dhe njohjes së diplomave. Në asnjë rast, kandidatët nuk do të mund të nënshkruajnë kontratën e punës pa dorëzuar dokumentet përkatëse të verifikuara.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar transparencën dhe korrektësinë e procesit të rekrutimit, dhe falënderon të gjithë aplikantët për pjesëmarrjen dhe besimin që kanë shfaqur në këtë proces.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe besimin në procesin e rekrutimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.