Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë pjesë në fushatën "Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës" përmes një ligjërate të rëndësishme për vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin mbi kancerin e qafës së mitrës. Aktiviteti u mbajt më 6 dhe 7 mars 2025, në Qendrën e Trajnimeve të KEK, si pjesë e iniciativës "Aksioni për Nënë dhe Fëmijë".
Qëllimi i ligjëratës ishte informimi dhe edukimi i stafit femëror të Korporatës mbi rëndësinë e parandalimit dhe diagnostifikimit të hershëm të kancerit të qafës së mitrës, si dhe trajtimin e HPV-së. Ligjëratën e mbajtën ekspertët dr. Vjollca Zeqiri dhe Elvanda Gojani, të cilat ndanë me pjesëmarrëset informacione thelbësore mbi faktorët e rrezikut, simptomat, dhe masat parandaluese kundër kancerit të qafës së mitrës dhe infeksionit HPV.
Një theks i veçantë u vendos në rëndësinë e testit PAP dhe vaksinimit të moshave të reja kundër HPV-së, si metodat më efektive për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Pjesëmarrëset nga KEK patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, të bëjnë pyetje dhe të ndajnë përvojat e tyre, duke theksuar rëndësinë e edukatës shëndetësore në komunitet.
Ligjërata u vlerësua si një hap i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit mbi këtë çështje dhe për fuqizimin e grave që të kujdesen për shëndetin e tyre në mënyrë të vazhdueshme. Në përfundim, u theksua rëndësia e kontrollave të rregullta mjekësore, si çelësi kryesor për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.
Kjo iniciativë është një shembull i angazhimit të KEK për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së stafit të tij, si dhe për përhapjen e informacionit të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve të caktuara.