Pas një periudhe të angazhimit maksimal dhe punës së palodhshme, Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin publik se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer me sukses në operim sonte, madje edhe para afatit të paraparë, 04.10.2025.
Ky sukses është rezultat i projektit madhor për rehabilitimin dhe modernizimin e turbinës, i zbatuar në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze General Electric dhe me ekspertët e KEK sh.a. Projekti ka sjellë rritje të dukshme të kapaciteteve prodhuese dhe efikasitet më të lartë të sistemit.
Implementimi i suksesshëm do të mundësojë kursime të konsiderueshme për Korporatën, si dhe do të garantojë stabilitet dhe siguri më të madhe energjetike për vendin.
Një falënderim i veçantë u drejtohet të gjithë stafit profesional dhe menaxhmentit të TC-B-së, për përkushtimin, kompetencën dhe vizionin e treguar gjatë realizimit të këtij projekti strategjik.
Në shenjë përkrahjeje për punonjësit, gjatë fazës së startimit të njësisë ishte i pranishëm edhe z. Gramos Hashani, Kryeshef Ekzekutiv i KEK sh.a., së bashku me anëtarë të menaxhmentit, duke dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë në këtë proces madhor.

Kosova po modernizohet – energjia e së ardhmes po krijohet sot!