Sot, më 06 tetor 2025, u zhvillua mbledhja e përgjithshme vjetore e aksionarit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), në prani të Bordit të Drejtorëve, të udhëhequr nga z. Valdrin Krasniqi, kryesues, si dhe të menaxhmentit të lartë të korporatës, të prirë nga Kryeshefi Ekzekutiv, z. Gramos Hashani.
Në mbledhje mori pjesë edhe përfaqësuesi i aksionarit, z. Getoar Mjeku, zëvendësministër në detyrë i Ekonomisë, me të cilin u prezantuan dhe u shqyrtuan:
- Raporti Vjetor për vitin 2024,
- Raporti i Auditorit të Jashtëm mbi pasqyrat financiare për vitin 2024, dhe
- Raporti i performancës së menaxhmentit për periudhën raportuese.
Gjatë takimit, përfaqësuesi i aksionarit u njoftua nga afër me rezultatet e arritura dhe sfidat me të cilat është përballur korporata gjatë vitit të kaluar.
Pavarësisht kushteve të vështira të operimit, KEK sh.a. ka dëshmuar stabilitet, profesionalizëm dhe përkushtim të lartë në përmbushjen e misionit të saj – sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.
Në raport u theksua se KEK sh.a. ka realizuar me sukses furnizimin me energji elektrike për:
- KESCO, për nevojat e konsumatorëve me shërbim universal,
-KOSTT dhe KEDS, për mbulimin e humbjeve në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe
-Termokos, të cilin e ka furnizuar pa ndërprerje me energji termike gjatë gjithë sezonit dimëror.
Njëkohësisht, Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ) ka arritur me sukses realizimin e planit të prodhimit të djerrinës dhe qymyrit, duke furnizuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të pandërprerë me lëndë të parë dy termocentralet – Kosova A dhe Kosova B.
Gjithashtu, u ritheksua përkushtimi i vazhdueshëm i korporatës për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të operimeve në njësitë prodhuese të DPQ-së, TC Kosova A dhe TC Kosova B, si dhe për zhvillimin e projekteve kapitale dhe investimeve strategjike në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë, duke përfshirë zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme.
Në përmbyllje të mbledhjes, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK sh.a. ritheksuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar me përkushtim realizimin e objektivave të korporatës dhe misionin e saj strategjik në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm, të besueshëm dhe ekonomik me energji për qytetarët e Republikës së Kosovës.