Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK) njofton opinionin publik, komunitetin e biznesit dhe të gjitha kompanitë e interesuara se projekti strategjik “Solar4Kosovo I Photovoltaics”, që parasheh ndërtimin e Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet minimal prej 100 MW, ka hyrë zyrtarisht në fazën e tenderimit për implementim të projektit.
Ju njoftojmë se me fillim të kësaj jave është publikuar Ftesa për Përzgjedhje Fillestare (Parakualifikim) për dizajnimin, furnizimin dhe instalimin e impiantit (FIDIC Yellow Book).
Ky është një ndër projektet më të rëndësishme të tranzicionit energjetik në Kosovë, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (WBIF), Qeveria Gjermane përmes KfW-së, si dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB). Projekti do të ndërtohet në ish-deponinë e hirit të qymyrit në veriperëndim të Prishtinës, duke shndërruar një zonë të dëmtuar mjedisore në një kapacitet modern dhe strategjik të prodhimit të energjisë së pastër.
Ftesë për pjesëmarrje – transparencë dhe konkurrencë maksimale
KEK, si institucioni përfitues i projektit, inkurajon në mënyrë të veçantë të gjitha kompanitë vendore dhe ndërkombëtare që:
✔️ Kanë ekspertizë të lartë teknike,
✔️ Përmbushin kriteret profesionale dhe financiare,
✔️ Operojnë në dizajnimin dhe ndërtimin e impianteve fotovoltaike,
✔️ Kanë përvojë në projekte të mëdha energjetike
të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij procesi shumë konkurrues dhe plotësisht transparent.
Projekti “Solar4Kosovo I Photovoltaics” përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimore për sektorin energjetik, industrinë e ndërtimit, kompanitë teknologjike, dhe ofron potencial të lartë për partneritete ndërkombëtare në fushën e energjisë së ripërtëritshme.
Informata të detajuara të prokurimit
Të gjitha detajet teknike, kriteret e pjesëmarrjes, mënyrat e dorëzimit të aplikimeve dhe kërkesave për sqarime janë të përfshira në Ftesën për Parakualifikim të publikuar.
Ky dokument do t’i bashkëngjitet këtij njoftimi në formë të plotë, pa asnjë ndryshim.
Ftesë për Përzgjedhje Fillestare - Projekti Solar 100MW