Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. njofton se, bazuar në Bilancin Vjetor Energjetik të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025, pavarësisht sfidave teknike dhe ndërhyrjeve kapitale për modernizimin e njësive gjeneruese.

Ky rezultat është arritur gjatë një periudhe intensive pune, e cila ka përfshirë modernizimin e turbinave në njësinë B2, realizimin e remonteve të rregullta vjetore si dhe zbatimin e projekteve kapitale në njësitë B1, B2 dhe A3, duke siguruar funksionim të qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemit energjetik kombëtar.

Analiza e të dhënave mujore të prodhimit dëshmon se, në disa muaj kyç, prodhimi ka tejkaluar planifikimin deri në 110%. Krahasimisht, në dhjetor 2024 realizimi i prodhimit ishte 76.5%, ndërsa në dhjetor 2025, falë përfundimit me sukses të remonteve vjetore dhe ndërhyrjeve modernizuese, si dhe me rënien e temperaturave dhe operimin paralel të pesë njësive gjeneruese, KEK ka tejkaluar planin e prodhimit me 102%. Periudhat me realizim më të ulët lidhen drejtpërdrejt me fazat intensive të modernizimit dhe remonteve të planifikuara. Megjithatë, në nivel vjetor, KEK ka ruajtur stabilitetin e sistemit energjetik kombëtar dhe ka përmbushur objektivat strategjike të prodhimit.

Realizimi vjetor prej 97% nuk përfaqëson vetëm një tregues statistikor, por është mbi të gjitha dëshmi konkrete e përkushtimit, profesionalizmit dhe përgjegjësisë së lartë të stafit teknik dhe të të gjithë punonjësve të KEK-ut, të cilët, përmes punës së palodhshme dhe angazhimit në terren, kanë garantuar funksionimin stabil dhe të sigurt të sistemit prodhues edhe në kushte jashtëzakonisht sfiduese. Ky rezultat është mbështetur dhe koordinuar nga strukturat menaxheriale, në funksion të krijimit të kushteve të nevojshme për realizimin e kësaj performance.

Ky rezultat konfirmon se KEK jo vetëm që po kalon nëpër një proces të thellë transformimi, por po e realizon këtë transformim duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik të Republikës së Kosovës, si dhe duke ndërtuar themelet e një sistemi energjetik modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm për të ardhmen.