Sot shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin transformues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), me nënshkrimin e kontratës për realizimin e projektit “Trajtimi i ujërave shkarkuese nga Termocentrali Kosova B”.
Ceremonia u mbajt në ambientet e TC Kosova B dhe mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, Ministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, znj. Fitore Pacolli-Dalipi, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, z. Hubert Perr, Drejtorin Ekzekutiv të KEK-ut, z. Gramos Hashani, Kryesuesin e Bordit, z. Valdrin Krasniqi, si dhe Koordinatorin e OKB-së për Zhvillim, z. Stephen O’Malley.
Në kuadër të ceremonisë, u prezantua projekti nga përfaqësuesi i UNOPS-it, z. Trevor Sway, duke theksuar objektivat, rezultatet e pritshme dhe ndikimin e tij në përmirësimin e cilësisë së mjedisit.
Projekti, me vlerë të përditësuar rreth 12 milionë euro, parasheh ndërtimin e pesë impianteve të avancuara për trajtimin e ujërave shkarkuese (WWTP-A deri WWTP-E), të cilat do të trajtojnë në mënyrë të integruar të gjitha kategoritë e ujërave – nga ujërat industriale dhe të kontaminuara me vajra, deri tek ujërat atmosferike dhe sanitare.
Përfitimet e këtij projekti janë të qarta dhe të matshme:
• reduktim mbi 90% i ndotësve kryesorë në ujërat shkarkuese;
• eliminim pothuajse i plotë i vajrave, mazutit dhe hidrokarbureve;
• reduktim drastik i metaleve të rënda dhe substancave të rrezikshme;
• përputhje e plotë me standardet e Bashkimit Evropian;
• përmirësim i drejtpërdrejtë i cilësisë së ujit në lumin Sitnica.
Për herë të parë, të gjitha ujërat shkarkuese nga TC Kosova B do të trajtohen në mënyrë të kontrolluar, të standardizuar dhe të qëndrueshme, duke përdorur teknologjitë më të avancuara sipas standardeve BAT (Best Available Techniques), përfshirë trajtimin biologjik, filtrimin, adsorbimin me karbon aktiv dhe proceset kimike.
Nënshkrimi zyrtar i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe UNOPS-it u pasua nga sesioni i fotografimit zyrtar dhe një vizitë në terren në TC Kosova B, e udhëhequr nga përfaqësuesit e KEK-ut.
Ky investim është pjesë e një transformimi shumë më të gjerë të KEK-ut. Në periudhën 2025–2027, korporata është duke realizuar projekte që tejkalojnë vlerën prej 500 milionë euro, duke përfshirë modernizimin e njësive ekzistuese, investimet në teknologji mjedisore dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme.
Ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt transformimit të KEK-ut në një operator modern, efikas dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet evropiane.
KEK sh.a. shpreh mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme dhe për institucionet vendore për bashkëpunimin dhe përkrahjen në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për mjedisin dhe shëndetin publik.