Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) nuk përfshihet në debate politike dhe nuk komenton qëndrimet e përfaqësuesve politikë. Megjithatë, nuk mund të qëndrojë indiferente kur emri i Korporatës përdoret në përplasje politike dhe kur opinionit publik i prezantohen shifra milionëshe, përllogaritje hipotetike dhe pretendime të pambështetura në të dhëna të verifikuara.
Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, KEK-u sqaron faktet dhe përgjegjësitë institucionale lidhur me investimet në TC Kosova B.
1. Projekti i elektrofiltrave dhe DeNOx – investim i financuar, kontraktuar dhe menaxhuar nga Bashkimi Evropian
Projekti për reduktimin e emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit (ESP/DeNOx) në TC Kosova B financohet përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian, ndërsa kontrata përkatëse është lidhur në fund të vitit 2019.
Bashkimi Evropian është autoriteti kontraktues dhe përgjegjës për menaxhimin kontraktual të projektit, ndërsa KEK-u është përfitues i këtij investimi strategjik.
Për më tepër, Bashkimi Evropian ka zhvilluar edhe një procedurë të veçantë prokurimi për mbikëqyrjen profesionale të punimeve, me buxhet prej rreth 3 milionë eurosh, me referencë EuropeAid/140044/DH/SER/XK – “Supervision of the works for Dust & NOx reduction at TPP Kosovo B, Units B1 and B2”.
Kjo procedurë dëshmon se edhe mbikëqyrja profesionale është kontraktuar në kuadër të përgjegjësive të Bashkimit Evropian, të ndara nga përgjegjësitë e KEK-ut si përfitues i projektit.
Fillimisht, zbatimi ishte planifikuar të fillonte në vitin 2020 për njësinë B1 dhe në vitin 2021 për B2. Megjithatë, për shkak të pandemisë COVID-19, projektit të dilatimeve, falimentimit të njërit prej anëtarëve të konsorciumit kontraktues dhe rrethanave të tjera që ndikuan në realizim, punimet në B1 kanë filluar më 10 prill 2026, me afat kontraktual për ndezjen e kaldajës për prodhimin e avullit më 25 nëntor 2026.
KEK-u ka realizuar përgatitjet e nevojshme për fillimin e punimeve
Njësia B1 është ndalur nga operimi më 4 prill 2026, gjashtë ditë përpara datës së planifikuar për fillimin e projektit, më 10 prill 2026.
Kjo periudhë është shfrytëzuar nga KEK-u për pastrimin e pajisjeve dhe hapësirave të punës, si dhe për realizimin e masave shtesë për përgatitjen e vendpunishtes.
2. Modernizimi i turbinave – investim i KEK-ut, me punimet dhe komisionimin e ftohtë të përfunduar
Ndryshe nga projekti mjedisor i financuar nga Bashkimi Evropian, modernizimi i turbinave financohet, kontraktohet dhe menaxhohet nga KEK-u.
Punimet për modernizimin e turbinave dhe komisionimi i ftohtë në njësinë B1 kanë përfunduar më 2 nëntor 2026.
Testimet përfundimtare dhe komisionimi në kushte operimi janë të ndërlidhura me rikthimin e njësisë në funksion, pas përfundimit të punimeve të projektit mjedisor.
Pra, bëhet fjalë për dy projekte të ndryshme, me burime financimi, autoritete kontraktuese dhe përgjegjësi të veçanta, të cilat nuk duhet të ngatërrohen apo të paraqiten si një investim i vetëm i KEK-ut.
3. Mbi 500 milionë euro investime për modernizimin e kapaciteteve prodhuese
KEK-u po realizon programin më të madh të modernizimit teknologjik që nga ndërtimi i njësive prodhuese para më shumë se 4 dekadave, me investime të planifikuara prej mbi 500 milionë eurosh.
Këto investime synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese, përmirësimin e sigurisë dhe besueshmërisë së operimit, zgjatjen e jetëgjatësisë së termocentraleve dhe përmirësimin rrënjësor të performancës mjedisore.
4. Përgjegjësitë për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë duhet të dallohen qartë
KEK-u është prodhues i energjisë elektrike dhe që nga viti 2013 nuk është operator i rrjetit të shpërndarjes.
Prandaj, ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike që shkaktohen nga defektet apo punimet në rrjetin e shpërndarjes nuk mund t’i atribuohen KEK-ut.
Është e papranueshme që përgjegjësitë për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë të ngatërrohen, duke krijuar perceptime të pasakta për rolin dhe përgjegjësitë e Korporatës.
5. Investimet strategjike kërkojnë profesionalizëm, jo përplasje politike
Në vend që këto investime historike, me rëndësi jetike për sigurinë energjetike të vendit, të trajtohen me profesionalizëm, përgjegjësi dhe respekt për faktet, është shqetësuese që ato të shndërrohen në instrument të përplasjeve politike.
Projektet strategjike të KEK-ut nuk duhet të bëhen objekt i interpretimeve të pabazuara dhe përllogaritjeve hipotetike që krijojnë perceptime të gabuara në opinionin publik dhe zhvlerësojnë angazhimin e mijëra punonjësve dhe profesionistëve të përkushtuar në realizimin e tyre.
Prandaj, krahas respektimit të afateve, rëndësi thelbësore kanë cilësia e punimeve, siguria teknike, përmbushja e standardeve mjedisore dhe qëndrueshmëria afatgjatë e investimeve.
KEK-u nuk është dhe nuk duhet të bëhet arenë e përplasjeve politike. Investimet strategjike duhet të vlerësohen mbi bazën e fakteve, rezultateve dhe përgjegjësive reale institucionale, jo të përdoren si instrument për interesa politike.
KEK-u mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe realizimit të investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë energjetike të vendit.
Ftojmë të gjithë akterët që të respektojnë faktet, të dallojnë përgjegjësitë institucionale dhe të mos e politizojnë procesin e modernizimit të KEK-ut. Lejoni profesionistët të realizojnë investimet strategjike, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes energjetike të Kosovës.
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS (KEK Sh.A.)