KEK ka eliminuar të gjitha pengesat potenciale dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet për prodhim të qëndrueshëm sipas bilancit energjetik, gjë që do t’i krijojë mundësi KEDS-it, si bartës i licencës, të ofrojë një furnizim stabil gjatë ditëve në vijim.
Duke pasur parasysh nevojën e sigurimit të furnizimit stabil gjate ditëve në vijim, dje më, 29 tetor 2013, para orëve të pikut (kohës së kërkesës së rritur për energji), njësia A5 e Termocentralit “Kosova A” është kthyer në punë, tri ditë para planit të paraparë sipas bilancit energjetik.
Në lidhje me njësinë B2 të Termocentralit “Kosova B”, jemi dakorduar me palët e ndërlidhura, që punët rreth sanimeve teknike, të cilat do të duhej të kryheshin, gjatë ndalesës së planifikuar sipas bilancit energjetik muajin e ardhshëm, të përfundojnë tani, në mënyrë që njësia të mos ndalet fare gjatë muajit nëntor, kur edhe kërkesa për energji elektrike është më e madhe.
Ne përgjithësi, duke mbajtur nivelin e stabilizimit të arritur vitin e kaluar, përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e tyre, prodhimi i energjisë elektrike dhe performansa e njësive të Termocentraleve të KEK-ut është duke tejkaluar planin e aprovuar. Për më tepër, për periudhën krahasimore janar-shtator, në vitin 2013 numri i ndalesave si dhe koha e mbajtjes jashtë punës të njësive të Kosovës A dhe B është përgjysmuar në krahasim me vitet e kaluara.
Tërë kjo është arritur falë investimeve të duhura dhe falë angazhimit të pashoq të punëtorëve në tërë hallkat e prodhimit, duke filluar nga prodhimi i qymyrit e deri tek termocentralet.