Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer me sukses në operim. Sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar me dt: 10.04.2025, rreth orës 23:39 dhe aktualisht njësia po operon në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda parametrave teknikë normalë.
Ky rikthim në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit “Kosova B”, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defektit dhe vënien në funksion të njësisë. Fillimisht, rikthimi ishte planifikuar të ndodhte në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo pas kryerjes së provës hidraulike u evidentua nevoja për eliminimin e disa rrjedhjeve shtesë në kaldajë, çka kërkoi një fazë shtesë të ndërhyrjeve teknike.
KEK falënderon sinqerisht të gjithë stafin teknik dhe menaxherial për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit, duke siguruar rikthimin në operim të njësisë B2 brenda afatit të paraparë, në përputhje me nominimet për datën 11 prill 2025.
Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të siguruar një prodhim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike.
Për çdo informacion shtesë, do të ju mbajmë të informuar me kohë.
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetet
Korporata Energjetike e Kosovës – KEK sh.a.