Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK Sh.A., z. Gramos Hashani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka realizuar një vizitë zyrtare në Komunën e Fushë Kosovës, ku është mirëpritur nga Kryetari i Komunës, z. Valon Prebreza, dhe kabineti i tij.
Gjatë takimit, z. Hashani e ka informuar edhe Kryetarin Prebreza për projektet prioritare të KEK Sh.A., të cilat përfshijnë modernizimin e njësive prodhuese, projektin e elektrofiltrave që synon reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit, si dhe projektin solar me kapacitet prej mbi 100 MW. Në këtë kontekst, është theksuar rëndësia e përkrahjes institucionale të Komunës së Fushë Kosovës për realizimin në kohë dhe me sukses të këtyre projekteve strategjike.
Po ashtu, është potencuar se KEK Sh.A., në kuadër të përgjegjësisë sociale të korporatës, planifikon që nga viti i ardhshëm të rrisë buxhetin për projekte komunitare dhe të zgjerojë ndjeshëm përfshirjen e banorëve të Fushë Kosovës me rrethinë në identifikimin dhe zbatimin e këtyre projekteve. Këto iniciativa do të përfshijnë ndërtimin e fushave sportive, parqeve multifunksionale dhe projekte të tjera me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Nga ana e tij, Kryetari Prebreza ka shprehur gatishmërinë e plotë të tij dhe të drejtorive përkatëse komunale për të adresuar dhe përkrahur të gjitha procedurat administrative të nevojshme për realizimin e projekteve të KEK-ut. Njëkohësisht, ai ka falënderuar KEK Sh.A. për përfshirjen e Komunës së Fushë Kosovës në projektet komunitare dhe ka theksuar nevojën për përkrahje të mëtejme edhe në fusha të tjera që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, përfshirë mbështetjen me makineri, resurse teknike dhe infrastrukturë rrugore.
Në kuadër të takimit, të dyja palët kanë konfirmuar vullnetin për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe janë pajtuar që të iniciohet procesi i hartimit të një Memorandumi Mirëkuptimi, i cili do të formalizojë fushat e bashkëpunimit dhe mekanizmat e koordinimit institucional.
KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar për bashkëpunim konstruktiv dhe të qëndrueshëm me pushtetin lokal, me synim realizimin e projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit, zhvillimin ekonomik lokal dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.