Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.A. zhvilluan sot takime të ndara me përfaqësuesit sindikalë, përkatësisht me Kryetarin e BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, së bashku me Kryetarin e SPEK-ut, z. Avni Grajqevci, si dhe me Kryetarin e SR-KEK-ut, z. Xhelal Jashari, dhe Nënkryetarin, z. Nexhat Llumnica.
Në këto takime u diskutua për rastet e fundit të ndodhura në ndërmarrje, si dhe për masat konkrete që KEK-u është duke ndërmarrë për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë.
Përfaqësuesit e sindikatave u njoftuan për hapat konkretë që janë ndërmarrë në këtë drejtim. Në kuadër të këtyre masave, për themelimin e një Task-Force e posaçme për vlerësimin, rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, e cila do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar protokollet, procedurat dhe praktikat e punës. Sindikatave iu kërkua të caktojnë përfaqësuesit e tyre për të qenë pjesë e kësaj Task-Force dhe për të kontribuar drejtpërdrejt në procesin e rishikimit dhe përmirësimit të standardeve të sigurisë.
Po ashtu, sindikatat u informuan për procesin e vlerësimit të rrezikshmërisë në vendet e punës, i cili është duke u realizuar përmes kontratës aktualisht në implementim, si dhe për Kodin e Punës, të aprovuar në vitin 2025, i cili përmban dispozita që rregullojnë të drejtat dhe kompensimet në rastet e aksidenteve në vendin e punës.
Bordi dhe Menaxhmenti theksuan se, në këtë fazë, deklarimet e pabazuara dhe të pakonfirmuara janë të dëmshme, para së gjithash ndaj familjeve të prekura, por edhe ndaj opinionit publik dhe vetë procesit të zbardhjes së rasteve.
U theksua se hetimet janë duke u zhvilluar nga organet kompetente të drejtësisë, ndërsa rrethanat, shkaqet dhe përgjegjësitë eventuale duhet të përcaktohen vetëm mbi bazën e fakteve dhe gjetjeve zyrtare të procesit hetimor, pa paragjykime dhe pa nxjerrë përfundime të parakohshme.
Në përfundim të takimeve, palët u dakorduan për vazhdimin dhe intensifikimin e dialogut social dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim të adresimit të të gjitha çështjeve që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe me përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës për punonjësit e KEK-ut.
KEK Sh.A. mbetet i përkushtuar që siguria dhe shëndeti i punonjësve të jenë prioritet i përhershëm dhe përgjegjësi themelore institucionale e Korporatës.