Unë e falënderoj shumë menaxhmentin, udhëheqjen e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, punëtorët për mikpritjen që na e kanë bërë neve sot këtu si Qeveri e Republikës së Kosovës e cila e dinë, e kupton, dhe natyrisht që do të jetë shumë e kujdesshme që KEK-u të zhvillohet, të avancohet në dy drejtime kryesore. I pari është ai i furnizimit të vazhdueshëm e të sigurt me energji dhe i dyti është ai i veprimit të qëndrueshëm në mënyrë që edhe konsiderata për mjedisin të jetë edhe aktuale, edhe e planifikuar mirë.
KEK-u është një ndërmarrje publike e cila vepron me fitim, operon me bilanc pozitiv financiar dhe natyrisht që kjo është rezultat i pasurive natyrore e shtetërore të vendit tonë, por njëkohësisht edhe i faktit që KEK-u është një kapacitet funksional prodhues e zhvillues dhe është një organizatë e suksesshme e punëtorëve dhe e kuadrove të vendit tonë.
Në vitin e kaluar kemi pas performancë shumë të mirë, meqë rast janë prodhuar 6 mijë GWh apo 6 TWh energji elektrike, ndërkaq nga vizitat te mihjet mësuam që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit meqë rast janë nxjerr 4 milionë e 300 mijë tonë, pra ky tejkalim është në dritën e 8 milionë tonëve të eksploatuar që janë planifikim për vitin 2021. Ne vëmë theksin në dy aspekte kryesore si Qeveri e Republikës së Kosovës. E para është bordi me integritet, ne kemi edhe bord të ri edhe ministre të re, pra bordi me integritet i KEK-ut në njërën anë, dhe mbikëqyrja e mirë nga ana e ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi në anën tjetër. Gjithashtu pamë se pajisjet janë të vjetruara, pamë se punëtorët janë të moshuar, pamë edhe mungesë të kuadrove të inxhinierëve mirëpo të gjitha këto do t’i adresojmë bashkërisht me KEK-unë në mënyrë që këto defiçienca të mbulohen në të ardhmen të kësaj kompanie gjithsesi të suksesshme. Jemi të përqendruar edhe në faktin se KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në vitet që vijnë në mënyrë që ta bëjmë diversifikimin e prodhimit të energjisë duke inkuadruar edhe energji të ripërtëritshme ku KEK-un ne e shohim sërish shtyllë shumë të rëndësishme. Pra energjia, në veçanti ajo solare do të jetë pjesë e portofolit të diversifikimit të energjisë ku te KEK-u ne e shohim përsëri një rol qendror.
Me këtë rast e falënderojmë edhe Bashkimin Evropian i cili qysh moti ka shprehur gatishmërinë për zbatimin e projektit të zëvendësimit të filtrave në mënyrë që të zvogëlohet ndotja dhe ne zotohemi që bashkë me direktivat e Bashkimit Evropian, me planet që ata kanë, të bëhemi pjesë e vendeve të zhvilluara të cilët e bëjnë dekarbonizimin si qëllim të tyre në mënyrë që të kemi energji, e një ditë edhe të mos kemi ndotje. Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk bëhet përnjëherë mirëpo synimi ynë për këtë gjë është i palëkundur.
Gjatë takimit me menaxhmentin dhe me punëtorët këtu në KEK mund të them që ato fjalët që qarkullojnë se në KEK janë rrogat e larta nuk qëndrojnë, duke pas parasysh kontributin shoqëror, duke pas parasysh kushtet jo të lehta të punës, dhe duke pas parasysh rrezikun jo të vogël në punë. Pra ne do të angazhohemi maksimalisht edhe për KEK-un si organizatë e punëtorëve dhe kuadrove, edhe për KEK-un si kapacitet prodhues e zhvillues por edhe për pasuritë natyrore e shtetërore, përkatësisht për mihjet meqë rast do të bëjmë gjithçka që mundemi që t’i dalim në ndihmë kësaj korporate tejet të rëndësishme, jetike edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë.