KEK-u ndien obligim që të njoftoj gjithë qytetarët se nuk ka asnjë përgjegjësi për reduktimet aktuale edhe për kundër asaj që ka deklaruar Furnizuesi Publik KESCO. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është duke prodhuar sipas planit duke respektuar procedurat operuese dhe obligimet kontraktuale ndaj KEDS/KESCO me përpikëri. Sipas Bilancit Energjetik për vitin 2016 në këtë kohë KEK ka paraparë të operojë gjithsejtë me 3 njësi gjeneruese, 2 njësi të TC Kosova A dhe 1 njësi të TC Kosova B. Gjatë ditës së sotme për shkak të problemeve teknike jemi detyruar të ndalim njësinë A4 dhe si rezultat i asaj KEK ka arritur të sigurojë energji elektrike nga Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) në sasi prej 300 MW/h, sasi e cila e tejkalon planifikimet e parapara sipas bilancit energjetik të aprovuar. Fillimisht KEK i ka ofruar në dispozicion KESCO-së energji elektrike të huazuar nga KESH sh.a. deri në 300MW/h por KESCO ka refuzuar të pranojë më tepër se 120 MW/h. Për më tepër, gjithashtu e informojmë opinionin se njësia A3 është duke prodhuar sipas planifikimit të paraparë dhe nuk ka asnjë problem teknik siç është dezinformuar në deklaratat e dërguara nga Furnizuesi Publik, me këtë rast kërkojmë nga të gjitha palët që obligimet e veta ndaj konsumatorëve ti përmbushin në bazë të licencave të marra. Për të qenë transparent ndaj të gjitha palëve, vlen të theksohet se Furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike është përgjegjësi ekskluzive e Furnizuesit Publik përkatësisht KESCO-së, përgjegjësi kjo e ngarkuar me ligjin për energji elektrike. Prandaj, për informimin e juaj KEK është përgjegjës vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe jo për reduktime apo furnizim të konsumatorëve. Në këtë drejtim, KEK është i shqetësuar me këto komunikata të Furnizuesit Publik, të cilat tash e sa kohë përmes dezinformatave, përgjegjësitë e veta i bartin tek prodhuesi. Me këtë rast i bëjmë thirrje edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të ndërhyjë që rastet e njëjta mos të përsëriten dhe palët të përmbahen në deklaratat e tyre konform licencave të lëshuara nga ZRRE.