BB po dëshmon interesimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për sektorin e energjisë në Kosovë

Dje, KEK-un e ka vizituar një delegacion i lartë i Bankës Botërore në krye me z. Riccardo Puliti, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj me bashkëpunëtorë, me ç’rast vizituan minierat, termocentralin Kosova A dhe Kosova B. Gjatë vizitës, z. Gjukaj e informoi z. Puliti dhe delegacionin për gjendjen aktuale, rezultatet e arritura, si dhe sfidat e proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, e me theks të veçantë për zhvillimet e fundit rreth zhvendosjes.

Nga ana tjetër, zyrtarët e delegacionit të BB u shprehën se; “Banka Botërore mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për të zgjidhur mungesat e energjisë nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse që përfshin rritjen e efiçiencës së energjisë, zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, integrimin në tregjet rajonale të energjisë, dhe përkrahjen për gjenerim të ri të energjisë qe është edhe e besueshme edhe e arritshme për qytetarët. Përkrahja per ta adresuar mungesën e energjisë në Kosovë është vetëm një element i strategjisë më të gjerë të Grupit të Bankës Botërore për të përkrahur zhvillimin ekonomik, përmirësuar konkurueshmërinë dhe menaxhimin e mjedisit, përshpejtuar rritjen e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë në Kosovë”.

Duke falënderuar z. Puliti dhe delegacionin për interesimin e vazhdueshëm të BB për sektorin e energjisë në Kosovë, Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj tha; “Përkundër faktit që KEK-u po përballet me mungsën e qymyrit si pasoj e ngecjes në zhvendosje, KEK, është duke përmbushur me përpikëri obligimet kontraktuale konforme situatës, si dhe është në përputhje të plotë me rregullat e tregut në fuqi, me ç’rast është duke njoftuar në vazhdimësi të gjithë akterët e sektorit të energjisë rreth problemit me zhvendosje dhe është duke punuar ngushtë me Qeverinë që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë.

Në këtë drejtim, KEK-u ka zbatuar me përpikëri vendimin e qeverise, ka rishikuar Planin e Veprimit të Zhvendosjes të cilin e ka dërguar tek Autoriteti miratues MMPH-Qeveria e Kosovës dhe vetëm pas aprovimit të tij nga Ministria, ka dorëzuar ofertat për kompensimin e pasurisë së paluajtshme. Këto oferta janë duke u pritur mjaft mirë tek pjesa dërmuese e banoreve dhe procedura e nënshkrimit të kontratave është në vazhdim e sipër”. ka theksuar z. Gjukaj.