Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia B2 e Termocentralit Kosova B, pas përfundimit me sukses të remontit të rregullt, të planifikuar sipas Bilancit Vjetor Elektro Energjetik për vitin 2026 (BVEE 2026), ka startuar në orët e pasdites dhe është sinkronizuar me sukses në rrjetin energjetik rreth orës 20:00.
Përfundimi me sukses i këtij remonti dhe rikthimi i njësisë në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm, profesionalizmit dhe përkushtimit të punonjësve dhe stafit teknik të Termocentralit Kosova B, të cilët kanë punuar intensivisht gjatë gjithë periudhës së remontit për realizimin e aktiviteteve të planifikuara dhe garantimin e funksionimit të sigurt e të qëndrueshëm të njësisë.
Gjatë remontit janë realizuar një sërë ndërhyrjesh teknike dhe aktivitete mirëmbajtëse, të cilat kontribuojnë në rritjen e besueshmërisë operacionale, sigurisë teknike dhe performancës së njësisë, duke krijuar kushtet e nevojshme për operim stabil gjatë periudhës në vijim.
Rikthimi i njësisë B2 në prodhim përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik të vendit dhe një kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
KEK mbetet e përkushtuar në zbatimin e planit të mirëmbajtjes dhe modernizimit të kapaciteteve gjeneruese, me qëllim garantimin e prodhimit të qëndrueshëm, të sigurt dhe të besueshëm të energjisë elektrike për qytetarët dhe ekonominë e Republikës së Kosovës.