Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Gramos Hashani, së bashku me ekipet teknike profesionale, po qëndron sot në terren për të mbikëqyrur nga afër zhvillimin e punimeve në projektin e asfaltimit të aksit rrugor Mirash – Bardh, në gjatësi prej 6.3 kilometrash, projekt me rëndësi të lartë strategjike për operimet minerare, sektorin energjetik dhe komunitetin përreth.
Aksi rrugor Mirash – Bardh paraqet një investim të rëndësishëm infrastrukturor dhe operacional, duke qenë një arterie kyçe për funksionimin e pandërprerë të operimeve të minierës së KEK-ut dhe njëkohësisht një lehtësim të konsiderueshëm për qarkullimin dhe lëvizjen e qytetarëve të zonës.
Në kuadër të përkushtimit institucional për mbështetjen e komunitetit dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale, KEK muaj më parë ka mundësuar shfrytëzimin e një pjese të konsiderueshme të këtij aksi edhe për qarkullimin e qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në shkurtimin e distancave dhe lehtësimin e komunikacionit për banorët e komunave Obiliq dhe Fushë Kosovë.
Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, theksoi:
“Ky projekt ka rëndësi të shumëfishtë strategjike, si për garantimin e operimeve stabile të KEK-ut dhe sektorit energjetik, ashtu edhe për komunitetin dhe qytetarët e kësaj zone. Përmes këtij investimi po ndërtojmë infrastrukturë moderne dhe të sigurt, e cila përmirëson efikasitetin operacional, por njëkohësisht edhe qarkullimin, qasjen dhe cilësinë e jetës për banorët e zonës.”
Realizimi i këtij projekti paraqet një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më efikase për operimet e KEK-ut dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.