Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë u takuan për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në korporatë, si dhe objektivat dhe sfidat me të cilat përballet KEK-u.
Lidhur me këtë, Ushtruesi i Detyrës së zv. Kryeshefit Ekzekutiv, Përparim Kabashi, falënderoi Shefin e Misionit të FMN-së për Kosovën, z. Gabriel Di Bella, për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën si dhe e njoftoi atë për projektet kapitale që janë duke u realizuar dhe ato që janë planifikuar për vitet në vijim.
Z. Kabashi tha se “Korporata Energjetike e Kosovës është në proces të rinovimit dhe përmirësimit të funksionimit të bllokut B-1, përfshirë punimet në kaldajat e Termocentralit Kosova B. Punimet në bllokun B-1 pritet të përfundojnë deri në fund të tetorit 2023, ndërsa punime të ngjashme veçse janë përfunduar më herët në 2023 në bllokun B-1. Me finalizimin të këtyre punimeve në kohë, të dy blloqet e Termocentralit Kosova B do të jenë gati për instalimin e elektrofiltrave dhe De-Nox-it, që janë thelbësore për zvogëlimin e ndjeshëm të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe zonat përreth”.
Z. Kabashi gjithashtu njoftoi përfaqësuesit e FMN-së se “plani buxhetor i KEK-ut për vitin 2024 përfshin një ndarje prej 12.5 milionë eurosh për t’i plotësuar resurset e BE-së për instalimin e filtrit të parë në bllokun B-2 në vitin 2024”. Në këtë drejtim, KEK-u dhe Qeveria e Kosovës janë në komunikim intensiv me përfaqësuesit e BE-së për të siguruar zbatim të projektit brenda afateve të parapara.
Në fund, z. Kabashi informoi bashkëbiseduesit se Qeveria dhe KfW-ja janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes për instalimin e paneleve solare në pronat e KEK-ut me kapacitet prej 100MW, si pjesë e projektit fotovoltaik “Solar for Kosovo I”, i cili bashkëfinancohet nga KfW, EIB, WBIF dhe KEK. Ky projekt siguron avancim të mëtejmë drejt tranzicionit të gjelbër, që është prioritet i rëndësishëm i KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.
Z. Di Bella e përgëzoi z. Kabashi dhe stafin e KEK-ut për progresin e arritur deri më tani dhe inkurajoi KEK-un që të vazhdojë me avancime të tjera në tranzicionin e gjelbër dhe reduktimin e ndotjes, dy objektiva të rëndësishme të programit të mbështetur nga Fondi i Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) që Kosova ka me FMN-në.