Me rastin e Ditës Evropiane të Parqeve, Drejtori Operativ i KEK-ut dhe Kryetari i Komunës së Obiliqit u vendosën gurë-themelin për ndërtimin e parkut të ri në qytetin e Obiliqit, projekt ky i financuar nga KEK-u. Me këtë rast, zyrtarë të lartë të Korporatës Energjetike të Kosovës thanë se janë duke u marrë shumë seriozisht me qytetarët e Komunës së Obiliqit me rrethin. Këtë më së miri e dëshmojnë projektet e dedikuara për Komunitetin Drejtori Operativ i KEK-ut, Njazi Thaqi, theksoi se: “Në periudhën e parë të këtij viti, ne kemi larguar mbi 13 deponi të mbeturinave në Obiliq dhe fshatrat për rreth, kemi investuar në ndriçimin e tri rrugëve në vlerë prej afro 150.000€ dhe gjithashtu jemi në finalizim të projekteve për asfaltimin e dy rrugëve. “Në këto çaste kam kënaqësinë që po e bëjmë përurimin e fillimit të punimeve edhe për projektin e radhës, gurë-themelin për ndërtimin e Parkut të Qytetit, projekt ky që kap shumën prej afro 80.000€. Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ti përkrahim qytetarët tanë në çdo formë që na lejojnë kushtet tona financiare dhe ligjore”. tha ndër të tjera z. Thaqi. Ndërsa, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë për komunitetin që jetojnë në Komunën e Obiliqit. “Sot po fillojmë me një park të ri dhe mendoj se ka ardhur koha edhe për një drejtim të ri. Dëshiroj që qytetarët e Obiliqit në të ardhmen do të kenë edhe aktivitete të tjera ku përveç një ambienti sa më të pastër ata të kenë edhe mundësi të punësimit dhe përmirësim dhe mirëqenie në jetën e tyre”, tha ai. Gashi bëri të ditur se po këtë ditë, së bashku me KEK-un kanë organizuar edhe aktivitete tjera për pastrimin dhe largimin e deponive ilegale. Projekti: Parku i Qytetit, kap vlerën prej 80 mijë eurosh dhe pritet të përfundojë brenda 90 ditësh.